Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq i dhanë fund takimit të së hënës pa rezultat gjatë diskutimeve në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve që u arrit në muajin mars në Ohër.
Takimi i së hënës ishte i pari që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve në fillim të muajit në Bruksel, kur u miratua deklarata për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Të dy kryenegociatorët shfaqën qëndrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet tyre.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takim është diskutuar gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit të arritur në Bruksel. Ai tha se pala serbe në këto diskutime ishte e interesuar vetëm për pjesën që ka të bëj me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në aneksin e implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe po ashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga Bashkimi Evropian që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre”, tha zoti. Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se bisedimet ishin nganjëherë shumë të dhimbshme dhe të pakëndshme. Ai tha se Prishtina nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për çështje të rëndësishme.
“Kur duhet të kishim diskutuar për çështje të rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e personave të pagjetur pas miratimit të deklaratës për personat e zhdukur, por edhe çështje të tjera të rëndësishme, si liria e lëvizjes, çështjet që lidhen me të, deri te vetë jeta e serbëve në Kosovë, dhuna institucionale e Albin Kurtit, që ndodh çdo ditë ndaj serbëve dhe shumë gjëra që ndodhin në jetën e popullit tonë në jug dhe në veri të Ibrit pothuajse çdo ditë, zoti Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, tha zoti Petkoviq.
Me 18 mars në Ohër, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Plani i marrëveshjes që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Por, zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kthimin e punonjësve serbë në institucionet që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar.
Tashmë është prezantuar një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar këtë projekt statut të cilin e ka cilësuar të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se qartazi Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit./VOA