Asociacioni del në plan të parë pas Banjskës, për zgjedhjet në Veri s’flet askush

4 minutes, 48 seconds Read

Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, nuk kanë qenë temë diskutimi në takimin trilateral më 14 shtator dhe në ato bilaterale më 26 tetor. Vëmendjen më të madhe në përballjet e Kurtit dhe Vuçiqit po e merr asociacioni. Herën e fundit që u fol për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Veri, ishte takimi në Bratisllavë mes Besnik Bislimit dhe Miroslav Lajçak, ndërsa u përmend edhe në takimin e Këshillit Evropian. Zgjedhjet i la në hije edhe sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë.

Zgjedhjet në Veri janë një nga temat më aktuale pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës atje. Domosdoshmërinë e mbajtjes së tyre e rritën tensionet që u shkaktuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Pavarësisht se shumë herë u potencua nevoja për shpalljen e zgjedhjeve të reja, në takimet e fundit në Bruksel nuk është folur për to.

Në dy muajt e fundit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe president i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takuan një herë, më 14 shtator. Ndërsa më 26 tetor, ata zhvilluan takime ndaras me Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe Kryeministren e Italisë.

Takimi i 14 shtatorit, nuk prodhoi rezultate. Pasi përfunduan diskutimet, Vuçiq dhe Kurti dolën para gazetarëve dhe mes të tjerash folën edhe për zgjedhjet në Veri.

Fillimisht, Aleksandar Vuçiq tha se nëse kryetarët japin dorëheqje ai do të bëjë “çmos” që t’i bindë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqjen, do të çmos që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Ndërsa Kurti tha se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve aktualë, derisa këmbënguli që peticioni është rruga demokratike dhe ligjore.

“Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

Për të njëjtën çështje foli edhe përfaqësuesi i lartë i BE’së, Josep Borrell. Ai e përsëriti deklaratën se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë, derisa për peticionin tha se nuk është i sigurt.

“Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë”, tha Borrell.

Ndërkaq, pas takimeve bilaterale të 26 tetorit që liderët e BE’së kanë pasur me Kurtin dhe Vuçiqin nuk është thënë asgjë për zgjedhjet, pasi aty u diskutua më shumë rreth planit të BE’së për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mirëpo zgjedhjet janë përmendur në konkluzionet e Këshillit Evropian.

“Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për deeskalim, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës sa më shpejtë që është e mundur, me pjesëmarrje aktive të serbëve të Kosovës”, thuhet në konkluzat e nxjerra.

Për zgjedhjet u fol më 10 korrik në Bratisllavë, ku u takuan zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Ata u morën vesh për katër hapat për deeskalimin e situatës në Veri.

Në hapin e tretë përmendej çështja e zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes së Bratisllavës, Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike përmes së cilës mbështet zgjedhjet e parakohshme

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.”

Për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, MAPL ka hartuar një udhëzim administrativ i cili ua mundëson qytetarëve në Veri që të mbajnë një peticion për shkarkimin e kryetarëve aktualë. Sipas tij fillimisht 20 për qind e personave me të drejtë vote duhet të iniciojnë peticionin, e më pas duhen 50 për qind + 1 votë për t’i rrëzuar kryetarët.

Në anën tjetër, Lista Serbe para disa ditësh ka deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo nuk kanë thënë nëse janë pro peticionit apo dorëheqjeve të kryetarëve aktualë. /GazetaExpress

Publikime te ngjashme