Gazetarja Valmira Vranovci ka analizuar disproporcionet dhe protokollet e lindjes mes sektorit privat dhe atij publik në Kosovë.
Shkak për këtë diskutim është bërë një statistikë alarmante, sipas së cilës rreth 40% e grave në vend shprehen të pakënaqura me përvojën e tyre gjatë sjelljes në jetë të fëmijëve.
Vranovci vuri theksin te sjellja e personelit mjekësor, duke specifikuar se vështirësitë më të mëdha shfaqen te stafi mbështetës, përkatësisht te mamitë.
“Dhuna verbale buron pikërisht nga infermieret apo mamitë; rralleherë ndodh nga gjinekologët, pasi me ta kontakti është minimal dhe kufizohet kryesisht gjatë procesit të lindjes”, deklaroi ajo në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
Gjatë këtij diskutimi, gazetarja u ka bërë thirrje organit të akuzës dhe institucioneve të drejtësisë që të tregohen më proaktive në këtë drejtim.
Ajo kërkoi që Prokuroria të nisë hetime kryesisht mbi dëshmitë publike të grave në media dhe platformat sociale, pa pritur që dosjet t’u dorëzohen në formë të gatshme./lajmishqip.net










