Sulmet kibernetike po bëhen një kërcënim gjithnjë e më i sofistikuar dhe i lidhur ngushtë me zhvillimet gjeopolitike, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Vendi ynë është përballur me sulme të vazhdueshme ndaj institucioneve publike dhe mediave, përfshirë Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, të cilat dyshohet se vijnë nga grupe hakerësh prorusë.
Për të përballuar këtë situatë, eksperti ndërkombëtar i sigurisë kibernetike, Paolo Palumbo, në një intervistë për KosovaPress, bën thirrje urgjente që Kosova të përmirësojë kapacitetet e saj mbrojtëse. Ai thekson se Kosova po shënjestrohet nga shtete që ndjekin agjenda specifike.
“Qeveria dhe sektori privat në Kosovë duhet të përballen me këtë sfidë,” tha Palumbo, duke rekomanduar një strategji me shumë shtylla: krijimin e një ekipi kombëtar për reagim ndaj incidenteve (CERT), forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të inteligjencës, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit në nivel shtetëror dhe privat.
Palumbo theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për të mbrojtur infrastrukturën kritike, duke e pranuar se ky është një proces që kërkon kohë, por që është jetik për sigurinë afatgjatë.
Eksperti italian paralajmëroi gjithashtu për rreziqet e reja, si teknologjitë me përdorim të dyfishtë. Ai veçoi Inteligjencën Artificiale (AI) si një mjet që mund të përdoret si për mbrojtje, ashtu edhe për sulme joetike apo ushtarake, duke kërkuar kontroll të shtuar mbi të.
Në mbyllje, Palumbo nënvizoi se këto sulme nuk janë të ndara nga gjeopolitika. “Ekziston një lidhje e madhe,” tha ai, duke përmendur luftën në Ukrainë si shembull ku hakerimi përdoret si mjet hakmarrjeje dhe presioni politik./lajmishqip.net