Alarm për ngrica të rrezikshme: Kurti paralajmëron natë kritike dhe apelon për kujdes maksimal

1 minute, 19 seconds Read

Mbrëmja e sotme pritet të jetë mjaft sfiduese për qarkullimin rrugor në të gjithë territorin e Kosovës. Për shkak të rënies drastike të temperaturave, të cilat parashikohet të zbresin deri në -9 gradë Celsius, rreziku në komunikacion është i lartë.

Kryeministri Albin Kurti u ka drejtuar një thirrje urgjente qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ai ka theksuar se rrugët e lagura nga shiu i orëve të fundit pritet të ngrijnë gjatë natës, duke krijuar shtresa akulli të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

“Të dashur qytetarë,

Sonte po përballemi me një natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët tona. Kontrasti i madh termik, me temperatura që pritet të bien deri në -9°C, paraqet rrezik të shtuar pasi rrugët e lagura do të kthehen në akull.

Të gjitha kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren me kapacitet të plotë për të mbajtur akset e hapura. Megjithatë, është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për pajisjet dimërore, veçanërisht gomat adekuate dhe zinxhirët.

Ju bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të kufizoni lëvizjet në rastet kur nuk është absolutisht e domosdoshme. Nëse qarkullimi është i pashmangshëm, ju lutemi të vozisni me kujdes ekstrem duke iu përshtatur plotësisht kushteve atmosferike.

Ne po bëjmë maksimumin për sigurinë tuaj, andaj ju lutemi të kontribuoni duke treguar maturi dhe duke shmangur daljet e panevojshme.

I juaji, Albin Kurti.”/lajmishqip.net

Publikime te ngjashme