Aksioni që goditi 8 auto sallone: Disa pronarë të arrestuar për veprimtari kriminale, konfiskohen vetura, para e armë

1 minute, 37 seconds Read

Pista e hetimit të rastit ‘Brezovica’ tashëm është zgjeruar dhe në pranga të Policisë kanë rënë edhe 14 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Në kuadër të këtij rasti, Prokuroria Themelore në Ferizaj zhvilloi sot aksion, në asistim me Policinë, ATK-në dhe Doganën, ku u bastisën rreth 10 lokacione. 

Aksioni ka përfunduar me vënien në pranga të 14 personave dhe konfiskimin e parave, veturave, armëve e dëshmive të tjera, që do të shfrytëzohen si prova në këtë rast.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, pas përfundimit të këtij aksioni ka bërë me dije se bastisjet janë kryer në gjithsej 8 auto sallonet, emrat e disa prej të cilave Sinjali i ka zbuluar gjatë ditës.

Auto sallonet “Iliri, “Besa” dhe “Lipjani”, janë vetëm disa nga këto biznese në të cilat zbarkuan sot njësitë e Policisë, ku u konfiskuan edhe vetura luksoze, që kapin vlerën e miliona eurove.

Burimet e Sinjalit thonë se disa prej të arrestuarve janë edhe pronarë të këtyre bizneseve, por jo të gjithë janë kapur në bizneset e tyre, prandaj janë kryer kontrolle edhe në disa shtëpi, lokale e zyre të ndryshme.

Bastisjet janë zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit dhe Vitisë, njoftoi Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Të dyshuarit që u kapën dyshohen për veprat penale të fajde, detyrimit dhe Shmangies nga tatimi.

“Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar  në kohëzgjatje prej 48 orësh, për për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.​”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Publikime te ngjashme