A do t’i përgjigjet kryeministri Kurti ftesës së BE-së për takim me Vuçiqin

3 minutes, 1 second Read

Pas vizitave të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor, tashmë Bashkimi Evropian ka ftuar për takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel të enjtën më 26 tetor. Por ftesat ende nuk janë konfirmuar dhe sipas VV-së është ende herët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se BE-ja ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë ditë do të mbahet samiti i vendeve aëntare të BE-së.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave.” – ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Por ende nuk dihet nëse kryeministri Kurti do të shkojë në këtë takim. Deri më tani nuk është konfrimuar pjesëmarrja e tij.

Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë konfirmuar nëse Kurti do të udhëtojë për në Bruksel për takim më Vuçiqin.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në RTV 21 të martën mbrëma ka thënë se është herët të konfrimohet pasi që ftesat janë dërguar të martën.

“Është herët të konfirmohet pasi që ftesat janë konfirmuar sot pasdite perderisa Kurti është në vizitë jashtë vendit.” – ka thënë Kusari-Lila.

Tutje, ajo ka kërkuar që nuk mund të anashkalohet në diskutime ajo që ka ndodhur pra sulmi në Banjskë

”Ne nuk shohim ndonjë formë të anagzhimit tjetër në proces për paqe, përveç përmes dialogut. Por ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të anashkalohet apo nuk mund të harrohet në momentin kur palet do ulen në tryezen e diskutimit pa e pasur edhe vlerësimin e pavaruar dhe real mbi të gjitha faktet e gjetura.” -ka thënë ajo.

Çka tha BE-ja?

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë të ditur se gjatë vizitës së pesëshes diplomatike u propozua një statut modern i Asociacionit.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka kërkuar që palët të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit.

“Priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte.” – ka thënë ai.

Duhet të kujtojmë se ky është takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kurti e Vuçiqi për herë të fundit ishin takuar më 14 shtator në Bruksel, ku nga ky takim nuk pati ndonjë marrëveshje.

Mbetet të shihet se a do të këtë ndonjë përparim në takimin e ardhshëm mes tyre.

Publikime te ngjashme