Kur përkushtimi shpërblehet me besim

4 minutes, 34 seconds Read

Shkruan: Demir Reshiti

Opoja vazhdon të japë emra që me punën, përkushtimin dhe integritetin e tyre nderojnë vendlindjen. Njëri prej tyre është edhe prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, i cili është rizgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren – organit më të lartë të qeverisjes së këtij institucioni të arsimit të lartë.

Design Plus Carousel Ad

Vendimi është marrë nga Senati i Universitetit “Ukshin Hoti”, i cili ka zgjedhur katër përfaqësuesit e tij në përbërjen e re të Këshillit Drejtues. Ky organ ka rol kyç në drejtimin strategjik të universitetit, mbikëqyrjen e zhvillimit institucional dhe miratimin e politikave akademike, administrative e financiare. Ai përbëhet nga shtatë anëtarë, katër të zgjedhur nga Senati dhe tre të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Anëtarët e rinj do ta fillojnë mandatin më 1 tetor 2026.

Pas rizgjedhjes, prof. Xhaferi falënderoi Senatin për besimin e dhënë, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të madhe.

“Këtë besim e çmoj jo vetëm si nder, por, para së gjithash, si përgjegjësi të lartë institucionale. Edhe në mandatin e ri do ta ushtroj këtë detyrë me përkushtim, paanshmëri dhe përgjegjshmëri, duke dhënë ndihmesën time në zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit dhe në mbrojtjen e së mirës së përbashkët universitare”, ka shkruar ai.

Profesor Xhaferi është i njohur për angazhimin akademik dhe eksperiencën e tij në fushën e arsimit të lartë, duke qenë dekan dhe pjesë e komunitetit universitar dhe autor i punimeve shkencore në fushën e tij.

Një rrugëtim i ndërtuar mbi dijen dhe përkushtimin

I lindur më 28 prill 1970 në fshatin Kosavë të komunës së Sharrit, Xhafer Beqiraj është një nga emrat e spikatur të gjuhësisë shqiptare dhe të arsimit universitar në Kosovë.

hkollimin fillor e kreu në Kosovë dhe Prizren, ndërsa në vitin 1995 diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”. Studimet universitare në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i përfundoi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 2002, për të vazhduar më pas studimet pasuniversitare në gjuhësi.

Në vitin 2007 vijoi studimet në Universitetin e Vjenës, ku përfundoi kursin universitar të gjuhës gjermane dhe regjistroi doktoraturën në gjuhësi. Pas kthimit në Kosovë, vazhdoi studimet doktorale në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2016 mbrojti me sukses disertacionin “Sintagma mbiemërore në gjuhën shqipe”, nën udhëheqjen e prof. dr. Rami Memushajt.

Karrierën në arsim e nisi në vitin 1996 si mësimdhënës i gjuhës shqipe në ShFMU “Emin Duraku” në Prizren. Që nga viti 2003 u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës si asistent në Fakultetin e Edukimit, duke ligjëruar edhe në Gjakovë dhe duke ushtruar detyrën e shefit të Degës së Mësimit Klasor.

Nga viti 2009 deri më 2016 ishte profesor në gjimnazin “Loyola-Gymnasium” në Prizren dhe njëkohësisht ligjërues universitar.

Në vitin 2017 u zgjodh Profesor Asistent në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti”, ndërsa në vitin 2022 mori thirrjen Profesor i Asociuar.

Përvoja e tij drejtuese është po aq e pasur. Nga viti 2019 deri në vitin 2022 ishte prodekan i Fakultetit të Filologjisë, ndërsa nga tetori 2022 deri në vitin 2025 shërbeu si dekan i këtij fakulteti. Në dhjetor 2025 u zgjodh për herë të parë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit, ndërsa më 24 korrik 2026 fitoi besimin për një mandat të ri.

Në fushën shkencore ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca e seminare kombëtare dhe ndërkombëtare, ka botuar një monografi, një përmbledhje me artikuj shkencorë dhe një numër punimesh në fushën e gjuhësisë. Që nga viti 2015 është anëtar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare “Lingua Albanica”, me seli në Tiranë.

Dëshmitar në Tribunalin e Hagës për të vërtetën e Kosovës

Përveç angazhimit të tij akademik, prof. Beqiraj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në mbrojtjen e së vërtetës për luftën në Kosovë. Ai dëshmoi në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës në proceset kundër krerëve më të lartë të shtetit serb. Më 19–20 prill 2002 dëshmoi në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit, ndërsa më 20–21 maj 2009 në procesin kundër ish-gjeneralit të policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq. Dëshmia e tij mbetet pjesë e përpjekjeve për dokumentimin e së vërtetës dhe të krimeve të kryera në Kosovë.

Sukses që e nderon jo vetëm Universitetin, por edhe Opojën

Rizgjedhja e prof. asoc. dr. Xhafer Beqirajt në Këshillin Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” është një vlerësim për punën, integritetin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në arsimin e lartë. Është një sukses që e nderon jo vetëm Universitetin, por edhe Opojën, e cila vazhdon të nxjerrë personalitete që me dijen dhe përkushtimin e tyre i bëjnë nder gjithë Kosovës.

Profesor Xhaferit i urojmë shëndet, mbarësi dhe suksese në mandatin e ri, me bindjen se do të vazhdojë ta ushtrojë këtë përgjegjësi me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim që e ka karakterizuar gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

Publikime te ngjashme