Tragjedia që tronditi Shkodrën po zbardhet me detaje të reja rreth rrethanave të ngjarjes. Flakët që shkrumbuan një banesë në fshatin Domen, nuk kursyen jetën e 24-vjeçares Bleona Çelaj dhe dy fëmijëve të saj të mitur, njëri 3 vjeç dhe tjetri vetëm 1 vjeç e gjysmë.
Kjo ngjarje e rëndë u regjistrua në lagjen Plisht të këtij fshati, pjesë e njësisë administrative Postribë. Skena me të cilën janë përballur autoritetet ka qenë tepër e trishtë; trupat e pajetë të viktimave u nxorën nga mes rrënojave të shtëpisë e cila u dogj plotësisht nga flakët.
Nga të dhënat paraprake të bëra publike, mësohet një rrethanë tejet tragjike: familja e re jetonte në fshatin Golem dhe sapo ishin kthyer nga Gjermania më 15 korrik. E reja kishte udhëtuar bashkë me fëmijët drejt shtëpisë së prindërve të saj në Domen për ta pastruar atë, pa e ditur se aty do t’i priste një fund fatal pas përfshirjes së befasishme të godinës nga zjarri.
Informacioni zyrtar i Policisë
“Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç. Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”./lajmishqip.net
