Trazirat brenda LDK-së: Haziri thyen heshtjen për mocionin ndaj Abdixhikut dhe jep mesazhin e fortë për unitet

2 minutes, 18 seconds Read

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se përplasja e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, me mbështetësit e mocionit për shkarkimin e tij, përbën një betejë direkte që i përket vetëm kryetarit të katërt të LDK-së dhe bazës së tij zgjedhore.

Sipas vlerësimit të Hazirit, të gjithë ata që po deklarohen me analiza apo udhëzime, qoftë pro apo kundër këtij procesi, po bëjnë thjesht pozicionime personale politike dhe jo për të mirën e së ardhmes së LDK-së.

Design Plus Carousel Ad

“Bajagi ia kemi parë sherrin pozicionimeve të tilla, duke harruar se kë e kemi familje politike, cilët janë rivalët tanë realë dhe pse po na përsëritet vazhdimisht e njëjta situatë! Tri degë dhe tre kolegë tanë e shkaktuan këtë proces brenda partiak. Mbi një e treta e delegatëve u ftuan të deklarohen përmes nënshkrimeve për këtë kërkesë zyrtare. Atëherë, çfarë na duhen fjalët e tepërta me nga dhjetë statuse në ditë, gjuha e ashpër e disa aktivistëve, ftesat për protesta në mbrojtje apo konsumuesit politikë që po e gërryejnë besimin e idealistëve,” ka shkruar Haziri në rrjetin social Facebook.

Në këtë reagim publik ai ka prekur edhe çështjen e gabimeve të bëra, megjithëse pa përmendur emra konkretë, derisa bëri thirrje të hapur për ruajtjen e unitetit të brendshëm.

“Funksionarët edhe mund të merren vesh, por jo edhe besimtarët tanë me sjelljet e këtyre funksionarëve. Koha e ka dëshmuar këtë gjë katërcipërisht. Është shumë më mirë të themi na falni për gabimet e së kaluarës, se sa të vazhdojmë me gabime të reja,” theksoi ai. “LDK-ja ka hapur procese të mëdha dhe ka realizuar ëndrra historike vetëm atëherë kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtuar se jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën e dhënë, bashkëpatriotë. Mos hyni në beteja që nuk ju përkasin juve.”

Në lidhje me këtë situatë, nënkryetari i LDK-së përcolli edhe një porosi të veçantë, të cilën e cilësoi si këshillë trashëgim nga babai i tij hero.

“Me dikë që e di se duhet të pajtohesh nesër, mos u hidhëro kurrë sot’,” përfundoi shkrimin e tij ai.

Ndryshe, ditë më parë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës janë dorëzuar zyrtarisht nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm partiak, ku pritet të votohet për besueshmërinë e kryetarit Lumir Abdixhiku. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme