Uashingtoni pret hapa konkretë nga Prishtina zyrtare për të hequr pezullimin dhe për t’i hapur rrugë riaktivizimit të dialogut strategjik ndërmjet dy shteteve.
Sipas diplomacisë amerikane në Prishtinë, çdo përparim do të varet drejtpërdrejt nga krijimi i rrethanave të favorshme, funksionalizimi i plotë i institucioneve vendore, si dhe përmbushja e obligimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.
Në një përgjigje ekskluzive për KosovaPress, zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë nërmarrjen e bashkëpunimit dypalësh e sheh me potencial të madh në sektorë kritikë si energjia, siguria kibernetike, mbrojtja, infrastruktura dhe teknologjia.
Megjithatë, ai ka rikujtuar se dialogu strategjik SHBA–Kosovë u ngrirë pa afat në shtator të vitit 2025, si pasojë e shqetësimeve direkte mbi vendimet e qeverisë në detyrë.
“Ne presim të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën sapo të krijohen kushtet e duhura. Ekziston një hapësirë e jashtëzakonshme për zgjerimin e marrëdhënieve tona dypalëshe në fusha që do të përfitonin drejtpërdrejt nga ky kuadër — nga energjia dhe siguria kibernetike, te bashkëpunimi ushtarak, zhvillimi i infrastrukturës dhe sektori i teknologjisë. Një partneritet i këtij niveli kërkon domosdoshmërisht që të gjitha institucionet shtetërore të jenë plotësisht të konstituara dhe funksionale,” thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. “Shtetet e Bashkuara e pezulluan pa afat dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me veprimet e ndërmarra nga qeveria në detyrë. Për të rihapur këtë proces, kërkojmë veprime konkrete nga kabineti qeveritar që çojnë përpara synimin tonë të përbashkët për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit si bazë e mirëqenies ekonomike, përfshirë realizimin e zotimeve të Kosovës karshi serbëve lokalë.”
KosovaPress ka adresuar pyetje zyrtare pranë qeverisë në detyrë lidhur me hapat konkretë që janë ndërmarrë për rikthimin e këtij dialogut vital me SHBA-në, mirëpo që nga e hëna nuk ka marrë asnjë përgjigje. /lajmishqip.net
