Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX) e ka futur territorin e Kosovës në zonën e nivelit më të lartë të rrezikut (Niveli 3), duke paralajmëruar një shpërthim të fuqishëm të motit ekstrem me reshje intensive gjatë ditës së martë dhe orëve të para të së mërkurës.
Sipas ekspertëve meteorologjikë, ekziston një mundësi e lartë që stuhitë e fuqishme të formuara mbi Ujërat e Adriatikut të lëvizin me shpejtësi drejt Ballkanit dhe të ruajnë intensitetin e tyre shkatërrues edhe mbi territorin e Kosovës.
Në këtë shkallë maksimale të alarmit, përveç vendit tonë, ESTOFEX ka përfshirë edhe Malin e Zi, Bosnjën jugore, bregdetin e Kroacisë jugore si dhe disa rajone të Italisë.
Kjo masë emergjente është ndërmarrë kryesisht për shkak të rrezikut real nga stuhitë me breshër jashtëzakonisht të madh, erërat me forcë shkatërruese dhe, në një masë më të kufizuar, mundësisë për shfaqjen e tornadove.
Sipas analizës së publikuar nga meteorologët, situata aktuale atmosferike mund të rezultojë në një prej episodeve më të fuqishme të motit ekstrem që ka goditur rajonin përgjatë këtij sezoni veror.
Për territorin e Kosovës dhe rajonin përreth parashikohen parametra shumë të favorshëm për zhvillimin e stuhive severe, të cilat mbajnë potencial për breshër masiv, erëra shkatërruese dhe situata të izoluara tornadike.
Sidoqoftë, niveli 3 i rrezikut nuk nënkupton se çdo zonë e Kosovës do të goditet ne mënyrë të barabartë, por se kushtet atmosferike janë mjaftueshëm kritike që çdo stuhi e formuar të marrë trajtë jashtëzakonisht të fuqishme.
Në këtë kuadër, qytetarëve u rekomandohet të ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve zyrtare meteorologjike dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë kohëzgjatjes së stuhisë./lajmishqip.net

