Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka mbështetur Sh.F.M.U. “28 Nëntori” në Bresanë me inventar dhe pajisje teknologjike, në kuadër të një donacioni që synon përmirësimin e kushteve për zhvillimin e procesit mësimor dhe punës administrative në këtë institucion arsimor.
Marrëveshja për dorëzim-pranimin e pajisjeve është nënshkruar më 13 maj 2026 në Prishtinë ndërmjet Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të shkollës, Durim Myrtezani.
Sipas njoftimit të publikuar nga shkolla, donacioni përfshin tre laptopë, një monitor, gjashtë telefona tavoline, dhjetë tavolina pune, dy karrige menaxheriale, pesë karrige vizitore, dy dollapë druri, një sirtar dhe dy paravanë.
Nga drejtoria e shkollës kanë shprehur mirënjohje të thellë për ZKA-në, duke e vlerësuar këtë mbështetje si një kontribut të rëndësishëm për krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe stafin arsimor.
Falënderim i veçantë i është adresuar edhe ish-nxënësit të kësaj shkolle, shkrimtarit dhe gazetarit Demir Reshiti, i cili, sipas njoftimit, ka kontribuar drejtpërdrejt në realizimin e kësaj ndihme. Shkolla ka theksuar se ai ndër vite ka mbështetur institucionin me libra, pajisje dhe ndihmë të vazhdueshme, duke dëshmuar lidhjen dhe përkushtimin ndaj shkollës ku mori dijet e para.
Po ashtu, falënderime janë shprehur edhe për Ylber Vehebiu për ndihmën në transportimin e inventarit, si dhe për Kuvendi Komunal i Dragashit për sigurimin e karburantit.
Në fund të njoftimit, shkolla ka vlerësuar se kjo mbështetje do të mbetet gjatë në kujtesën e kolektivit dhe nxënësve të saj, duke e cilësuar mirënjohjen si “kujtesë të zemrës”.




