Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se lidhur me nënshkrimet e mbledhura nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat i prezantoi publikisht mbrëmë Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar as për kryeministrin Albin Kurti e as për udhëheqjen e grupit parlamentar të VV-së.
Gjatë një prononcimi për medie pak çaste para nisjes së seancës parlamentare, Nagavci bëri apel që të pushojnë akuzat reciproke ndërmjet ligjvënësve dhe të prioritizohet gjetja e një zgjidhjeje konkrete për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ajo shprehu bindjen se Kryetarja e Kuvendit do të përsërisë thirrjen drejt opozitës, duke potencuar se meqë shumica e tyre ndodhen tashmë në objektin e Kuvendit, duhet të hyjnë në sallë për të evituar shkuarjen në zgjedhje të reja. Nagavci vuri në dukje se megjithëse Abdixhiku prezantoi një listë pa emër specifik, ajo nuk u komunikua asnjëherë formalisht te kryeministri apo te ajo vetë në mënyrë që të koordinoheshin me nënshkrimet e mazhorancës, duke këmbëngulur se gjetja e zgjidhjes është më e rëndësishme se fajësimi.
Po ashtu, Nagavci ka vlerësuar se propozimi i Feride Rushitit për këtë post të lartë shtetëror do të ishte një nder i veçantë për të gjithë Republikën./lajmishqip.net
