Kosova hyn në fazën përfundimtare të procesit për zgjedhjen e presidentit, derisa nesër skadon afati kushtetues për përmbylljen e tij.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bëri edhe njëherë të ditur se kjo parti ka hequr dorë nga pretendimi për postin e presidentit dhe pret që partitë opozitare, përfshirë PDK-në dhe LDK-në, të dalin me propozime konkrete.
Sipas saj, pavarësisht këtij hapi, ende nuk ka emra nga opozita dhe situata mbetet e paqartë.
Pas kësaj pati reagim nga shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu e cila iu përgjigj deklaratave të LVV-së duke kërkuar qartësi dhe duke sfiduar mazhorancën për sigurimin e 66 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Në të njëjtën linjë edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se vendi ndodhet në “dy ditët finale”, duke paralajmëruar se nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Kujtojmë se të shtunën Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës që të propozojnë tre emra të përbashkët jopartiakë për president, duke u zotuar se do t’i mbështesë me nënshkrime dhe votë për të shmangur zgjedhjet e reja.
LVV-ja ka thënë se propozimet do t’i presë deri të dielën në mbrëmje (dje) – dy ditë para se të përfundojë afati për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja e ka refuzuar menjëherë ofertën, duke e cilësuar si manovër politike dhe duke theksuar se për këtë parti çështja e presidentit është e mbyllur.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ka përmendur edhe mundësinë e propozimit të Vjosa Osmani për një mandat të ri si presidente, por vetëm në rast se Lëvizja Vetëvendosje garanton 66 votat e nevojshme në Kuvend.
Të gjitha këto zhvillime vijnë në një moment kritik, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e ri të shtetit brenda këtij afati, vendi rrezikon të përballet me një krizë të re politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Në prag të këtij afati, mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë kompromis për zgjedhjen e presidentit apo nëse vendi do të hyjë në një tjetër proces zgjedhor.

