Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një sulm të ashpër frontal ndaj Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Në një deklaratë të fortë, kreu i qeverisë izraelite e ka akuzuar liderin turk për masakrimin e popullsisë kurde brenda kufijve të Turqisë.
Përmes një reagimi zyrtar në platformën sociale X, Netanyahu theksoi se politika e tij mbrojtëse ndryshon rrënjësisht nga ajo e Ankarasë. “Izraeli, nën udhëheqjen time, do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri regjimin terrorist të Iranit dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo është në kundërshtim me atë që bën Erdogani, i cili u ofron strehë terroristëve dhe ka masakruar qytetarët e tij kurdë,” deklaroi ai.
Ky reagim i ashpër i Netanyahut duket se vjen si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj lëvizjeve të fundit të drejtësisë turke. Sipas raporteve mediatike në Turqi, prokurorët vendas kanë kërkuar dënime ekstreme që arrijnë deri në 4,596 vite burg për Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë.
Akuzat e ngritura nga pala turke përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në qendër të këtyre akuzave është ndalimi me forcë i flotiljes “Sumud”, e cila synonte të dërgonte ndihma në Gazë gjatë vitit 2025, një incident që ka çuar marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët historike. /lajmishqip.net
