Koncepti i “Botës Serbe” po riaktivizohet si një përpjekje për t’u koordinuar kundër bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ky zhvillim alarmues u konfirmua zyrtarisht nga Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovinës.
Përmes një komunikate në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se ka iniciuar thirrjen e një takimi urgjent të liderëve me Serbinë.
“Në mbledhjen e Kryesisë së SNSD-së, kemi analizuar gjerësisht ndikimin e sinkronizimit ushtarak mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës. Kemi konstatuar se ky bllok përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Republika Srpska”, ka shkruar Dodik në llogarinë e tij në platformën X.
Teksa paralajmëroi takimin me Presidentin Vuçiq dhe zyrtarët e tjerë të lartë serbë, ai njoftoi se synohet një qëndrim i unifikuar dhe marrja e vendimeve strategjike. Kësaj retorike i është bashkuar edhe Srna Kovaç, anëtar i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Parlamentin e Serbisë.
“Rreziku që i kanoset Republika Srpska nga ky aks ushtarak është real dhe i prekshëm”, pohoi ai, duke hedhur idenë se në këtë rreshtim mund të përfshihet edhe Hungaria në mbështetje të palës serbe. /lajmishqip.net










