I pari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për aplikimin e një takse prej 10 eurosh për mjetet e regjistruara jashtë Prishtinës, duke paralajmëruar masa reciproke në komunën e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Prebreza ka ironizuar hapur këtë nismë, duke bërë të qartë se një vendim i tillë do të pasohet me barriera të ngjashme për banorët e kryeqytetit.
“Në rast se kjo rregullore miratohet në Prishtinë, unë do të caktoj një taksë ditore prej 20 eurosh për çdo qytetar të Prishtinës që hyn në Fushë Kosovë, si dhe një tarifë 10 euro për qasje në rrugën e aeroportit”, ka paralajmëruar Prebreza.
Ai ka vijuar me tone satirike, duke lënë të kuptohet se vendimet e kësaj natyre mund të shtohen varësisht nga rrethanat.
“Edhe çka tjetër të na kujtohet rrugës”, ka shtuar ai me sarkazëm.
Sipas kreut të Fushë Kosovës, masa të tilla drastike do të shërbenin gjoja për shkarkimin e komunikacionit në zonën që ai udhëheq.
“Besoj fuqishëm që këto kufizime do të ndihmonin në eliminimin e mbingarkesës së trafikut në Fushë Kosovë”, ka potencuar Prebreza.
Ky reagim vjen si pasojë e debatit të nxehtë mbi rregulloren e Prishtinës, përkatësisht nenin 14, i cili parasheh që automjetet nga komunat e tjera të paguajnë 10 euro për hyrje në zonën urbane të kryeqytetit. /lajmishqip.net










