Bllokada për presidentin, Bajrami: Kurti po e çon qëllimisht vendin në zgjedhje, LDK nuk shantazhohet

1 minute, 49 seconds Read

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti për mungesë të vullnetit politik në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Sipas saj, synimi i Kurtit është dërgimi i vendit drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Gjatë një interviste për RTV21, Bajrami potencoi se kryeministri ka pasur mundësi reale ta përmbyllte këtë proces përmes një konsensusi politik paraprak.

“Gjatë tetë ditëve të fundit nuk kemi parë as përpjekjen më minimale. Kjo dëshmon se që nga fillimi i kësaj legjislature, Kurti nuk ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit dhe as stabilitetin institucional të Republikës. Këtë tendencë e vërejtëm edhe tek aprovimi i shpejtë i buxhetit. Synimi i tyre është kontrolli mbi mjetet financiare për t’i përdorur taksat e qytetarëve për efekte elektorale, pa pasur plan real për zgjedhjen e presidentit. Po të ekzistonte vullneti, kjo do të kryhej me kohë. Dihet se pas takimeve me liderët opozitarë, Abdixhikun e Hamzën, u propozuan njëanshëm dy emra nga LVV-ja si formë shantazhi, gjë që për ne ishte e papranueshme,” u shpreh Bajrami.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Deputetja tutje nënvizoi se në rast të tejkalimit të afatit kushtetues prej 34 ditësh, përgjegjësia direkte për dështimin e marrëveshjes politike bie mbi supet e kryeministrit Kurti.

“Afati kohor është i limituar dhe kjo situatë komplekse nuk mund të zgjidhet nga opozita. Nëse kjo bllokadë vazhdon deri në skadimin e afatit të Gjykatës Kushtetuese, çdo qytetar duhet ta ketë të qartë se fajtori që po e rikthen vendin në proces zgjedhor është zoti Kurti dhe subjekti i tij,” deklaroi ajo.

Në fund, Bajrami rikonfirmoi qëndrimin e prerë të LDK-së kundër emrave të propozuar nga partia në pushtet.

“Vota jonë për kandidatët e LVV-së nuk ekziston. Nuk ka ndodhur asnjë zhvillim që do të na bënte të ndryshonim qëndrim ndaj dy kandidaturave të tyre. Ne jemi kundër monopolizimit të pozitave shtetërore. Presidenti i takon të jetë një figurë që unifikon spektrin politik,” përfundoi ajo. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme