Detaje tronditëse nga dhuna në Deçan, si u rrëmbye dhe u rrah 11-vjeçari brenda një Range Rover-i

1 minute, 24 seconds Read

Policia e Kosovës ka vënë në pranga në Deçan prindin e një nxënësi, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj shokut të klasës së djalit të tij.

Burime të gazetës insajder brenda organeve të rendit bëjnë me dije se i dyshuari, Binak Hadërgjonaj, e ka marrë me forcë 11-vjeçarin pranë oborrit të shkollës duke e futur brenda automjetit të tij të tipit ‘Range Rover’.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Sipas informatave të siguruara, para se ta izolonte në veturë, i dyshuari e ka goditur të miturin me shuplaka dhe grushte. Dëshmitë bëjnë të ditur se Hadërgjonaj më pas e ka tërhequr nxënësin zvarrë për xhakete deri në korridoret e brendshme të institucionit arsimor.

Shkak i këtij incidenti brutal dyshohet të jetë një zënkë verbale mes viktimës dhe djalit të të dyshuarit, të cilët ndjekin mësimet në të njëjtën klasë. Sidoqoftë, raportohet se mosmarrëveshja kishte ndodhur para dy muajsh dhe që prej asaj kohe nxënësit nuk kishin pasur fërkime të reja.

Viktima 11-vjeçare ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ndërsa Binak Hadërgjonaj është shoqëruar menjëherë në stacionin policor.

I dyshuari është marrë në pyetje në prani të mbrojtësit të tij ligjor, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.

Me vendim të prokurorit, personi në fjalë është ndaluar për 48 orë, ndonëse pritet që rasti të kalojë në procedurë të rregullt gjatë ditëve në vijim.

Publikime te ngjashme