Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ta shpallë si të papranueshme kërkesën e parashtruar nga presidentja Vjosa Osmani, e cila kërkonte sqarime juridike rreth procesit të emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Presidentja Osmani kishte kërkuar një vlerësim të detajuar mbi atë që ajo e cilësoi si “konflikt të kompetencave kushtetuese”, duke adresuar përplasjen e mundshme mes autoritetit të saj dhe të drejtave të grupeve parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës.
Përveç kësaj, kreu i shtetit kishte kërkuar nga Gjykata vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afateve ligjore lidhur me fillimin e mandatit për një anëtar të KQZ-së, emërimi i të cilit kishte mbetur pezull për shkak të këtyre dilemave juridike.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur përfundimisht që kërkesa e Osmanit nuk plotëson kriteret për shqyrtim, duke refuzuar në të njëjtën kohë edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
Ngërçi kushtetues, sipas sqarimeve nga kabineti i presidentes Osmani, buronte nga fakti se subjektet politike kishin dorëzuar numër më të madh propozimesh për anëtarë të KQZ-së sesa që lejohet me aktin më të lartë juridik të vendit./lajmishqip.net
