Donika Gërvalla ka shfrytëzuar hapësirën televizive në një intervistë me gazetarin Blerim Haxhiaj për të adresuar zhvillimet e fundit dhe për t’u dërguar mesazh zyrtarëve në Ministrinë e Drejtësisë.
“Do të rikthehemi në binarët e ligjshmërisë; aty ku gjatë mandatit të paraardhëses Haxhiu mbizotëronte rregulli”, deklaroi ajo të hënën në RTK Prime, duke pretenduar se pas largimit të Albulena Haxhiut situata në departamente të caktuara kishte degraduar.
Qëndrimet e shpërfaqura gjatë bisedës me Haxhiajn sinjalizojnë se Gërvalla ka vendosur të ndjekë të njëjtën linjë veprimi të dikurshme.
Njësoj si ish-ministrja Haxhiu, e cila ishte ballafaquar me akuza për suspendime dhe revokime të licencave të përmbaruesve, edhe Gërvalla paralajmëroi masa në një proces ku ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë, e për të cilin përmbaruesi do duhej ndeshkohej nëse nuk do ta zbatonte, e jo për zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, për të cilin edhe ka dhënë betimin se duhet ta zbatoj.
Ministrja e paragjykoi procedurën e përmbarimit për borxhin prej mbi 700 mijë eurove që Transmetuesi Publik i detyrohet kompanisë “Grand Media” të Enis Ujkanit, duke theksuar se përmbaruesi i rastit nuk është emër i panjohur për komisionin disiplinor.
“Rrjedhimisht, kjo që po ndodh nuk përbën ndonjë befasi”, u shpreh ajo, duke iu referuar tentativës për inkasimin e detyrueshëm të mjeteve nga arka e RTK-së.
Gjatë intervistës, gazetari Haxhiaj kërkoi sqarime specifike mbi procesin përmbarimor që peshon rëndë mbi buxhetin e transmetuesit shtetëror.
“Kemi një situatë ku Gjykata e Apelit ka rritur vlerën që duhet paguar për shërbime që s’ishin pjesë e kontratës, e tani përmbaruesi synon t’ia marrë RTK-së një shumë marramendëse për emisionin ‘Kush do të bëhet milioner’”, sqaroi Haxhiaj.
Ai shtoi se bëhet fjalë për të njëjtin përmbarues që ishte i përfshirë edhe në proceset e njohura rreth Telekomit të Kosovës.
Gërvalla la të kuptohet se ishte mjaft e informuar për rastin, duke konfirmuar se dikasteri i saj ka pranuar tashmë një ankesë zyrtare nga televizioni publik.
“Keni të drejtë, kemi pranuar ankesën nga Zyra Ligjore e RTK-së për këtë çështje konkrete”, pohoi ministrja.
“Po e bëj të qartë publikisht se asnjë përmbarues nuk mund të sillet në kundërshtim me ligjin, pavarësisht nëse tenton të mbulohet pas autoritetit të gjyqtarit, pasi ligji vlen njësoj për të gjithë”, ishte paralajmërimi i prerë i ministres së Drejtësisë.
Vendimi i Gjykatës Komerciale në fund të vitit të kaluar e obligon RTK-në që t’i paguajë “Grand Media”-s shumën prej rreth 782 mijë eurosh si pasojë e shkëputjes së njëanshme të kontratës për emisionin e njohur televiziv./lajmishqip.net










