Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë vendimin zyrtar për të mos qenë pjesë e punimeve të sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky pozicionim vjen me argumentin se mbledhja e legjislativit është thirrur jashtë procedurave dhe në kundërshtim të plotë me rregulloren, sipas njoftimit të kreut të grupit, Gazment Bardhi.
Edhe pse në rend dite figuron votimi i rezolutës për shpalljen e Iranit si shtet sponsor i terrorizmit, Bardhi vlerëson se e gjitha po bëhet për të akomoduar agjendën personale të kryeministrit Edi Rama.
“Grupi i PD-së vendosi ta bojkotojë këtë seancë të martën, të cilën e konsiderojmë të paligjshme dhe të thirrur jashtë ditës së rregullt të së enjtes pa asnjë bazë procedurale,” ka deklaruar ai.
Bardhi ka nënvizuar se ky takim nuk është një seancë e mirëfilltë parlamentare, por një mbledhje e dirigjuar për interesat e kreut të qeverisë dhe kryetarit të Kuvendit, pa një rend dite të miratuar paraprakisht.
Sipas tij, një institucion ku mungon debati dhe fjala e opozitës po shndërrohet në një dekor të thjeshtë për propagandën qeveritare, duke i shërbyer vetëm interesave të ngushta.
Ai akuzoi se në vend të ushtrimit të kontrollit mbi ekzekutivin, Parlamenti po përdoret si instrument për të penguar drejtësinë në hetimet e korrupsionit dhe për të dëmtuar rrugëtimin evropian të vendit.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e opozitës kanë refuzuar të jenë pjesë e asaj që e quajnë “fasadë parlamentare”, duke u pozicionuar pranë qytetarëve në terren.
Fokus i opozitës mbetet mobilizimi për protestën e paralajmëruar të 22 marsit, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një rrezik kombëtar që kërkon ndryshim rrënjësor dhe luftë kundër korrupsionit./lajmishqip.net










