Goditet përseri rrjeti i fajdesë në Prizren, të dyshuarit e familjes Kuzhnini i shpëtojnë sërish prangave

1 minute, 32 seconds Read

Një aksion i gjerë policor është zhvilluar së fundmi në qytetin e Prizrenit, ku në shënjestër të hetuesve ishin disa eksponentë të dyshuar për fajde, të lidhur ngushtë me familjen Kuzhnini, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ky operacion u ekzekutua nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës si pjesë e hetimeve mbi aktivitetet e jashtëligjshme të dhënies së parave me kamata, fenomen që vlerësohet si një prej formave më dëmtuese të krimit ekonomik në vend.

Design Plus Carousel Ad

Sipas informatave nga burime brenda grupit hetimor, bastisjet u shtrinë në disa lokacione dhe objekte banimi, mirëpo as këtë herë personat kryesorë të dyshuar nuk u lokalizuan në adresat e tyre.

Ky nuk përbën rastin e parë të dështimit; skenarë të ngjashëm janë parë edhe në të kaluarën kur të dyshuarit arritën të arratiseshin, gjë që ka ngritur dyshime serioze për rrjedhje të informatave konfidenciale para ndërhyrjes.

Goditja e fundit u projektua pikërisht si përpjekje për t’i korrigjuar dështimet e mëparshme, duke u koordinuar nga strukturat e specializuara për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të policisë.

Megjithatë, përkundër mobilizimit, aksioni nuk rezultoi me arrestimin e shënjestrave kryesore, të cilët dyshohet se kanë gjetur sërish shtigje për t’iu shmangur prangave dhe përgjegjësisë ligjore.

Ky rast mbetet pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për çrrënjosjen e fajdesë, një dukuri që autoritetet dhe ekspertët e fushës vazhdimisht e cilësojnë si një “kancer” për shoqërinë dhe ekonominë kosovare.

Hetimet lidhur me këtë dosje po vijojnë në fazë aktive, ndërsa priten hapa të tjerë nga institucionet e sigurisë për t’i sjellë të dyshuarit përballë drejtësisë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme