Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje krerëve të institucioneve shtetërore që të zbatojnë me përpikëri aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, menjëherë pas shpalljes zyrtare të tij.
Diplomatët gjermanë kanë zgjedhur të mos u kundërpërgjigjen pretendimeve të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thonë se vizitat e ambasadorëve në organin më të lartë juridik përbëjnë ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.
“Përfaqësia gjermane nuk i komenton procedurat që po shqyrtohen aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, kërkojmë nga të gjitha palët institucionale që të respektojnë vendimin final sapo ai të bëhet publik”, thuhet në reagimin e tyre dhënë për RTV21.
Ky pozicionim i prerë i Berlinit zyrtar vjen në kohën kur zyrtarët e partisë në pushtet po insistojnë që Gjykata të aprovojë kërkesën e tyre për ta shpallur kundërkushtetues dekretin e Presidentes Vjosa Osmani./lajmishqip.net









