Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka potencuar se Teherani zyrtar nuk ka kërkuar në asnjë moment armëpushim apo fillim të negociatave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hedhur poshtë kështu deklaratat e presidentit Donald Trump se pala iraniane synon një marrëveshje për ndërprerjen e zjarrit.
Gjatë një interviste dhënë për emisionin “Face the Nation” në CBS News, Araghchi nënvizoi se Irani nuk gjen asnjë arsye valide për të hyrë në bisedime me Uashingtonin, duke rikujtuar se dialogu mes dy vendeve ishte në proces pikërisht në kohën kur SHBA-ja ndërmori sulmet ushtarake.
“Ne asnjëherë nuk kemi parashtruar kërkesë për armëpushim e as për negociata. Nuk shohim asnjë logjikë për të komunikuar me amerikanët, për faktin se ne ishim në mes të bisedimeve kur ata zgjodhën të na godasnin, dhe kjo ndodhi për të dytën herë radhazi”, deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë iraniane shtoi tutje se përballja e tanishme ushtarake është një “luftë e zgjedhur” vetëdijshëm nga presidenti Donald Trump dhe nga administrata e Shteteve të Bashkuara.
“Ky konflikt është produkt i zgjedhjes së Presidentit Trump dhe SHBA-së, prandaj ne jemi të vendosur të vazhdojmë mbrojtjen e sovranitetit tonë”, përfundoi Araghchi./lajmishqip.net









