Qyteti i Gjakovës është zgjuar nën tmerrin e një krimi të rëndë këtë të hënë, pas një incidenti me armë zjarri që la pas një të vdekur dhe një të plagosur.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, konfirmoi detajet e kësaj ngjarjeje tragjike në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ku plumbat rezultuan fatalë për njërin prej të përfshirëve.
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se dy burra të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’. Fatkeqësisht, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendngjarje siç konstatoi ekipi mjekësor, ndërsa personi i dytë po merr trajtimin e nevojshëm spitalor”, deklaroi Elezaj.
Zyrtari policor sqaroi më tej se autoritetet janë vënë në ndjekje të të dyshuarit dhe po realizojnë të gjitha procedurat intensive hetimore për prangosjen e tij të shpejtë.
Sipas informacioneve të siguruara, viktima e këtij atentati është 38-vjeçari Rasim Binakaj, ndërsa personi që po kërkohet nga policia si i dyshuar kryesor është Nexhdet Zymberaj, i njohur si pronar i lokalit “My Place” në Gjakovë./lajmishqip.net









