Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, 56-vjeçari Mojtaba Khamenei, i cili mori drejtimin e vendit pas vrasjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei më 28 shkurt, raportohet se është dërguar me urgjencë në Moskë. Sipas informacioneve të fundit, ai ka pasur nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale në këmbë si pasojë e plagëve të marra.
Referuar të përditshmes Daily Mail, Mojtaba Khamenei fillimisht u raportua se ishte në gjendje kome në Spitalin Universitar Sina në Teheran. Kjo gjendje erdhi pas një sulmi të fuqishëm ajror të koordinuar nga forcat amerikane dhe izraelite, i cili kishte si shënjestër kryesore kupolën drejtuese të Iranit.
Shkalla e rëndë e lëndimeve të tij detyroi transferimin e menjëhershëm drejt Rusisë. Sipas burimeve mediatike, ky operacion mjekësor i specializuar u ofrua personalisht nga presidenti rus, Vladimir Putin, duke treguar afërsinë mes dy liderëve.
Agjencia Al-Jarida bën me dije se operacioni për evakuimin e Ajatollahut të ri ishte projektuar të mbetej tërësisht i klasifikuar. Për këtë qëllim, transportimi i tij u realizua përmes një avioni ushtarak rus nën masa të rrepta sigurie.
Pas mbërritjes, ai u vendos në një nga pallatet presidenciale të Putinit, ku edhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Raportohet se operacioni ka rezultuar i suksesshëm dhe gjendja e tij është nën monitorim të vazhdueshëm.
Edhe pse ky lajm ende nuk ka marrë një konfirmim zyrtar nga autoritetet në Teheran, Al-Jarida këmbëngul se informacioni është i saktë. Agjencia pretendon se të dhënat vijnë nga një burim i nivelit të lartë pranë rrethit të ngushtë të liderit të ri iranian. /lajmishqip.net









