Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka alarmuar se komunat e Kosovës mbesin ende pa qasje në mjetet buxhetore, ndonëse ligji përkatës u miratua zyrtarisht muajin e kaluar.
“Përkundër faktit se buxheti për vitin 2026 ka marrë dritën e gjelbër nga Qeveria dhe është dekretuar nga Presidenca, edhe pse jemi në mes të muajit mars, komunat vazhdojnë të mos e kenë në dispozicion për shfrytëzim!”, ka deklaruar Totaj.
Ai ka ngritur dyshime serioze se Ministria e Financave po mban të bllokuara rreth 100 milionë euro, të cilat supozohet se janë ndarë në pritje për ekzekutimin e pagesave përmbarimore direkt nga arkave komunale.
Sipas Totajt, kjo qasje e dikasterit qendror do të prodhojë pasoja të rënda dhe çrregullime në funksionimin e rregullt të planeve buxhetore në nivel lokal.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës gjatë muajit shkurt miratoi ligjin për buxhetin shtetëror, i cili kap vlerën rekord prej rreth 4 miliardë eurosh për vitin 2026. ./lajmishqip.net









