Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë fare pranë zyrtarizimit të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, sipas burimeve të sigurta që lajmishqip ka pranë të dyja kampeve politike. Pas një periudhe negociatash të gjata, palët raportohet se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për parimet kryesore, ndonëse pikat e fundit të ndarjes së dikastereve po diskutohen me intensitet të lartë.
Burimet tona bëjnë me dije se kërkesat e LDK-së janë që kjo parti të ketë postin e Presidentit dhe drejtimin e gjashtë ministrive. Në anën tjetër, VV-ja ka ofruar një formulë alternative që përfshin postin e Kryetarit të Kuvendit, shoqëruar po ashtu me gjashtë ministri. Kjo divergjencë e fundit në pazarin politik është duke u trajtuar në takime të mbyllura, ku vullneti për arritjen e kompromisit duket më i madh se kurrë më parë.
Aktualisht, përfaqësuesit e të dyja partive janë në takime intensive, të cilat pritet të japin frytet e tyre gjatë orëve në vijim. Gjasat janë që marrëveshja të konkretizohet përfundimisht gjatë ditës së sotme, ose më së largu deri nesër në paradite./lajmishqip.net









