Kanalet pro-ruse publikojnë koordinatat e Bondsteel-it, bëhet thirrje për sulme ndaj bazës amerikane në Kosovë

1 minute, 42 seconds Read

Derisa tensionet në Lindjen e Mesme po kulmojnë pas aksioneve ushtarake izraelite ndaj Iranit, eksponentë ekstremistë dhe qarqe pro-ruse në Ballkan po tentojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë për të nxitur destabilizim në territorin e Kosovës.

Në platformën Telegram, kanale me ndikim si “BUNT je stanje duha”, që numëron mbi 80 mijë ndjekës, dhe “СРПСКИ ГЛАСНИК”, kanë nisur shpërndarjen e mesazheve që targetojnë drejtpërdrejt praninë ushtarake të ShBA-së, përkatësisht bazën Bondsteel në afërsi të Gjilanit.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Duke u thirrur në sulmet izraelite mbi Iranin, këto platforma po propagandojnë narrativa për “hakmarrje” ndaj interesave amerikane, duke e cilësuar kampin Bondsteel si një “objektiv legjitim” në rast të ashpërsimit të mëtutjeshëm të konfliktit.

Këto postime shoqërohen me një fjalor nxitës dhe retorikë hapur armiqësore, që synon mobilizimin e ndjekësve të këtyre grupeve për kryerjen e veprimeve të dhunshme.

Në një nga lëvizjet më alarmante, administratorët e këtyre kanaleve kanë bërë publike edhe koordinatat e sakta gjeografike të bazës ushtarake amerikane: 42.3644909, 21.2494918.

Ky njoftim pason komentin: “Nëse Ajatollahu po vëzhgon nga Qiproja, ky është rreziku më i madh për Iranin aktualisht”, një mesazh që tenton të ndërlidhë zhvillimet në Lindjen e Mesme me prezencën e trupave të ShBA-së në Kosovë.

Përpos koordinatave, në këto rrjete po qarkullojnë edhe harta të detajuara të Bondsteel-it, të shoqëruara me sarkazëm dhe mesazhe ironike “mirënjohjeje” ndaj amerikanëve, duke rritur dozën e provokimit dhe kërcënimit direkt.

Sipas ekspertëve të sigurisë, dekonspirimi i të dhënave të tilla dhe thirrjet e hapura për agresion paraqesin një rrezik serioz për jetën e personelit amerikan dhe për qetësinë e përgjithshme në Kosovë e rajon.

Ky aktivitet vlerësohet si pjesë e një strategjie të gjerë hibride, e cila synon sinkronizimin e krizave globale me vatrat lokale të tensionit, përmes platformave anti-perëndimore./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme