Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar në mënyrën më të ashpër sulmet e regjimit iranian ndaj bazave ushtarake amerikane dhe vendeve partnere në Lindjen e Mesme. Kryediplomati theksoi se këto akte agresioni dëshmojnë një shpërfillje totale ndaj jetëve të pafajshme dhe rrezikojnë seriozisht stabilitetin e brishtë rajonal.
Përmes një deklarate zyrtare në platformën X, Konjufca ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në rajon. Ai nënvizoi se vendi ynë mbetet i palëkundur përkrah forcave që mbrojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përballë kërcënimeve të tilla.
“Kosova qëndron fort me aleatët tanë amerikanë kundër veprimeve që cenojnë rendin global,” u shpreh Konjufca. Ai veçoi sulmet e fundit në zonat civile të Jerusalemit, ku humbën jetën të paktën 9 persona, si dhe goditjet ndaj qendrave tregtare e banesore në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i cilësuar ato si akte të pamatura që synojnë vetëm destabilizimin. /lajmishqip.net









