Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, e nisi rendin e ditës me propozimin për themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lartësuar marsin si muajin e lavdisë kombëtare.
Kurti potencoi se pa datat 5, 6 dhe 7 mars, pa flijimin sublim të familjes Jashari dhe pa luftën e paepur të UÇK-së, nuk do të vinte kurrë dita e 17 shkurtit.
“Shkurti shënon festën tonë shtetërore dhe krenarinë qytetare, ndërsa marsi personifikon lavdinë tonë historike dhe nderimin për sakrificën. Ndonëse në kalendarin vjetor shkurti vjen i pari, në kalendarin e historisë sonë marsi ishte ai që i priu gjithçkaje. Pa ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit nuk do të realizohej 17 shkurti; pa flijimin e familjes Jashari nuk do të kishim festën e Republikës, dhe pa luftën çlirimtare për liri, ushtria jonë nuk do të parakalonte sot në liri”, deklaroi Kurti./lajmishqip.net
