Përplasje e heshtur Londër-Uashington: Britania bllokon bazat ushtarake për sulm ndaj Iranit

3 minutes, 27 seconds Read

Qeveria britanike ka refuzuar t’i japë dritën e gjelbër SHBA-së për shfrytëzimin e bazave ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar si mbështetje për goditjet e mundshme ndaj Iranit, njofton BBC.

Historikisht, Uashingtoni ka operuar nga baza RAF Fairford në Gloucestershire dhe territori i largët Diego Garcia në Oqeanin Indian për të realizuar misione luftarake në Lindjen e Mesme.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Referuar të përditshmes The Times, sulmet e fundit të Presidentit Donald Trump ndaj marrëveshjes së Sir Keir Starmer për Ishujt Chagos ishin reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij refuzimi britanik për përdorimin e bazave.

“Si praktikë rutinore, ne nuk lëshohemi në komente rreth çështjeve operative,” deklaroi shkurtimisht një zëdhënës i qeverisë britanike.

SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Teheranit për frenimin e programit bërthamor, duke kërcënuar me aksione ushtarake dhe duke dislokuar mjete të fuqishme luftarake në rajon për një sulm të mundshëm.

Në të njëjtën kohë, qarkullojnë informacione për progres në bisedimet diplomatike që po zhvillohen midis negociatorëve amerikanë dhe atyre iranianë në Zvicër.

Të enjten, Trump paralajmëroi se bota do ta kuptojë “ndoshta brenda 10 ditësh” nëse do të ketë një marrëveshje finale apo do të nisë ndërhyrja ushtarake.

Nga Londra zyrtare u tha: “Ekziston një proces politik në vijimësi mes SHBA-së dhe Iranit, të cilin Mbretëria e Bashkuar po e mbështet plotësisht.

Irani nuk guxon të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe prioriteti ynë mbetet stabiliteti dhe siguria e rajonit.”

Sir Keir bisedoi me Trumpin të martën, menjëherë pasi administrata amerikane ofroi mbështetje formale për marrëveshjen mbi Ishujt Chagos.

The Times raporton se liderët diskutuan ultimatumet për programin bërthamor, ndërsa Trump shpërtheu kundër marrëveshjes së Chagos vetëm një ditë pas kësaj telefonate.

Analistët besojnë se planet e Pentagonit për sulme që mund të lansohen nga Diego Garcia kanë ndryshuar perceptimin e presidentit mbi rëndësinë strategjike të këtij arkipelagu.

Trump e konfirmoi këtë në Truth Social: “Nëse Irani refuzon marrëveshjen, SHBA-së mund t’i duhet Diego Garcia dhe RAF Fairford për të asgjësuar një regjim kaq të rrezikshëm.”

Vlen të theksohet se asnjëra nga këto baza nuk u përdor vitin e kaluar gjatë goditjeve amerikane mbi objektet bërthamore të Iranit.

Asokohe, një zyrtar i lartë i mbrojtjes në MB pohoi se Uashingtoni zyrtar nuk kishte dërguar fare kërkesë për leje.

Megjithatë, RAF Fairford u shfrytëzua së fundmi për operacionin e sekuestrimit të tankerit Bella 1, një aksion ky që gëzoi mbështetje të plotë britanike.

Ministrat britanikë insistojnë se çdo veprim ushtarak duhet të jetë i justifikuar dhe në përputhje me normat e ligjit ndërkombëtar.

Sipas marrëveshjeve bilaterale, SHBA është e obliguar të kërkojë miratim paraprak për përdorimin e bazave sovrane britanike për qëllime luftarake.

Ligji ndërkombëtar nuk bën dallim mes shtetit që sulmon dhe atij që asiston, nëse asistuesi ka dijeni për paligjshmërinë e veprimit.

Në janar, i pyetur nga BBC nëse e mbështet sulmin, Sir Keir u shpreh se po punon me aleatët për të parandaluar armatosjen bërthamore të Iranit.

“Synimi kryesor është që Irani të mbetet pa armë bërthamore. Kjo është një çështje jetike për ne,” kishte thënë ai.

“Gjithashtu, duhet adresuar shtypja brutale dhe vrasja e protestuesve nga ai regjim, që është vërtet diçka groteske. Këtu jemi të fokusuar.”

Duke reaguar, lideri i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, kritikoi ashpër qasjen e Trumpit ndaj qeverisë britanike.

“Është e qartë se Trump po tenton të intimidojë Londrën për përdorimin e bazave si Diego Garcia për veprime ushtarake të njëanshme.

Keir Starmer duhet të qëndrojë i palëkundur dhe të kërkojë votën e Parlamentit për çdo angazhim të tillë ushtarak.”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme