Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e sheh si të parealizueshme mbylljen e luftës në Ukrainë përmes tryezës së negociatave, duke paralajmëruar se ky konflikt i armatosur do të marrë fund vetëm kur njëra palë të shkatërrohet plotësisht në aspektin ushtarak ose ekonomik.
“Në këndvështrimin tim, kjo luftë do të mbyllet kur njëra nga palët ndërluftuese të bjerë në kolaps, qoftë nga ana ushtarake, apo ajo ekonomike”, theksoi Merz në një prononcim për gazetën “Rheinpfalz”.
Teksa foli për presidentin rus, kreu i qeverisë gjermane vlerësoi se logjika e shëndoshë dhe argumentet e natyrës humanitare nuk kanë asnjë ndikim te Vladimir Putini. “Kjo është e vërteta e hidhur”, nënvizoi ai.
Merz shtoi më tej se të gjitha përpjekjet e Evropës duhet të fokusohen tek objektivi që “shteti rus të mos ketë më kapacitete për ta vazhduar luftën në rrafshin ushtarak dhe të mos jetë në gjendje ta financojë atë ekonomikisht”.
Sipas kancelarit konservator, “klika aktuale në pushtet” në Rusi e ka të pamundur të “mbijetojë” pa gjendjen e luftës, e cila, sipas parashikimeve të tij, do të vazhdojë edhe më tej.
“Ata janë të detyruar ta mbajnë ndezur makinerinë e luftës, sepse u mungon një plan konkret se çfarë të bëjnë me mijëra ushtarë, shpesh të gjymtuar rëndë, që po kthehen nga fronti”, argumentoi ai.
Për Merzin, “aktualisht po e shohim këtë shtet të zhytur në një gjendje barbarie të thellë. Kjo qasje nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, ndaj është një realitet që duhet ta pranojmë dhe ta përballojmë me vendosmëri”./lajmishqip.net

