Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u është drejtuar besimtarëve myslimanë me një mesazh të ndjerë urimi me rastin e fillimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit. Përmes këtij komunikimi, e para e shtetit ka vënë theksin te pesha shpirtërore e kësaj periudhe, duke e cilësuar atë si një kohë të çmuar për reflektim të thellë dhe afrim me njëri-tjetrin.
Në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve, Presidentja Osmani u shpreh:
“Le të sjellë ky muaj i bekuar më shumë paqe në zemrat e secilit, më shumë mirësi në veprime dhe solidaritet të shtuar ndaj të gjithëve. Ramazani është koha e duhur për reflektim dhe për t’u ndjerë më afër njëri-tjetrit. Uroj që sofrat tuaja të jenë gjithmonë të mbushura me begati dhe shtëpitë tuaja të mbushen me harmoni e gëzim. Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë besimtarët!” /lajmishqip.net
