Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, deklaroi sot se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson idealin më sublim të ndërtuar ndër shekuj nga shqiptarët.
E para e shtetit, në seancën solemne të legjislativit, vlerësoi se 18 vite më parë Kosova pësoi transformimin e madh, duke u lartësuar nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi.
“Liria e fituar përmes sakrificës sublime mbetet e përjetshme”, nënvizoi ajo gjatë fjalimit.
Osmani potencoi se UÇK-ja përbën palcën e rezistencës sonë kombëtare dhe ishte përgjigja legjitime e një populli të shtypur ndaj makinerisë gjenocidale të një regjimi tiran.
“Kjo luftë ishte në çdo hap e drejtë, e pastër dhe absolutisht e domosdoshme. Çdo tentativë për t’i vënë njollë apo për ta relativizuar atë, nuk është vetëm padrejtësi, por edhe një e pavërtetë historike tërësisht e patolerueshme”, u shpreh prerazi Osmani.
Më tej, e para e shtetit shtoi se krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë dhe me përkrahjen e plotë të popullit, u ngritën për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën e shenjtë për të jetuar të lirë në truallin e tyre./lajmishqip.net
