Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka vlerësuar si një nisje të mbarë të javës dhe zhvillim me rëndësi parësore votimin në lexim të parë të projektbuxhetit për vitin 2026, i cili kap vlerën rekord prej 4 miliardë eurosh.
“Ky është një hap vendimtar që i hap rrugë shqyrtimit final dhe mundëson realizimin e shërbimeve e projekteve kapitale që parashihen me këtë planifikim financiar. Siç u reflektua edhe në debatin parlamentar, këto investime synojnë drejtpërdrejt fuqizimin e sigurisë dhe ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e Republikës. Gjej rastin të falënderoj deputetët për angazhimin e tyre, kontributin në diskursin parlamentar dhe vullnetin e treguar përmes votës,” ka bërë të ditur Haxhiu përmes një njoftimi.
Pas këtij vendimi, ligjvënësit janë dakorduar që seanca për leximin e dytë dhe final të buxhetit të zhvillohet këtë të premte, me fillim nga ora 11:00../lajmishqip.net
