Pas një pauze, seanca në Gjykatën Speciale ka rifilluar me parashtrimet e Prokurorisë së Specializuar, e cila shpalosi sërish pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në procesin ndaj katërshes udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurori i ZPS-së, Alan Tieger, deklaroi se portretizimi i të akuzuarve thjesht si pjesë e mijëra vullnetarëve që iu bashkuan luftës për liri, përbën një përpjekje të qëllimshme për t’iu shmangur roleve të tyre faktike si themelues dhe anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm.
Ai insistoi se të akuzuarit e shfrytëzuan autoritetin e tyre hierarkik për të jetësuar atë që prokuroria e cilëson si një “qëllim kriminal të përbashkët”.
“Sot do të nis parashtrimet e Prokurorisë. Në forma të ndryshme, mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si figura me qëllime të mira, por pa fuqi reale; për shembull, mbrojtja e Veselit e përshkroi atë si një ushtar të devotshëm në kohë vuajtjesh, si një i diplomuar i ri pa stërvitje ushtarake që luftonte vetëm për liri, pa brutalitet. Të nderuar gjykatës, një gjë e tillë nuk përbën krim dhe ZPS nuk e ka pretenduar kurrë këtë,” u shpreh prokurori.
Megjithatë, Tieger theksoi se tentimi për t’i radhitur të akuzuarit si ushtarë të rëndomtë është një ikje nga përgjegjësia e tyre si pionierë dhe krerë të Shtabit të Përgjithshëm, role të cilat ata i kanë pranuar botërisht në mënyrë të përsëritur.
Sipas tij, ata u shmangen këtyre pozicioneve sepse veprimet dhe angazhimi i tyre individual dëshmojnë qartë qëllimin e përbashkët kriminal. Ata që besonin verbërisht në kauzën e tyre, pretendonin se kishin të drejtë të eliminonin pa mëshirë këdo që konsiderohej pengesë në rrugën e tyre.
Provat për krimet që pasuan si rezultat i këtyre qëllimeve janë të shumta dhe nuk mund të injorohen, pavarësisht përpjekjeve agresive të mbrojtjes për t’i trajtuar këto dëshmi si raste të izoluara dhe të shkëputura nga konteksti./lajmishqip.net

