Një incident i rëndë, që mund të kishte pasoja fatale, është regjistruar paraditen e sotme në zonën e njohur si “Malajziani” në kryeqytet, ku janë përfshirë në një përplasje fizike një zyrtar policor dhe një punonjës biznesi.
Sipas burimeve të siguruara nga vendi i ngjarjes, konflikti ka eskaluar pasi stafi i një lokali i ka kërkuar efektivit ta largojë veturën nga hapësira e tyre, me arsyetimin se po bllokonte zonën e dedikuar për shërbim.
Situata është tensionuar me shpejtësi, duke degraduar nga fjalosja verbale në kërcënim me armë zjarri nga ana e zyrtarit policor, moment ky i kapur edhe nga kamerat e sigurisë ku shihet polici duke i drejtuar armën qytetarit në prani të dëshmitarëve, përfshirë dy gra të tmerruara.
Lidhur me rastin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimet, ndërsa polici, i cili rezulton të jetë efektiv në Drejtorinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë pas konsultimit me prokurorinë kompetente.
Krahas hetimit penal, pritet të nisin procedura disiplinore edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërkohë që në dëshminë e tij polici ka pretenduar se veprimi ishte instinktiv nga frika se mos ia rrëmbenin armën gjatë konfliktit me persona të panjohur./lajmishqip.net
