Tronditet europa nga dosjet e Epstein: Pse kokat e mëdha po bien aty e jo në Amerikë?

1 minute, 46 seconds Read

Një princ, ambasadorë, diplomatë karriere e politikanë me peshë – të gjithë kanë rënë pre e dosjeve të zeza të Jeffrey Epstein. Çuditërisht, thuajse të gjitha këto “viktima” politike i përkasin Evropës dhe jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Publikimi i malit me dokumente nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka shkaktuar dridhje tektonike në elitat politike e ekonomike të kontinentit të vjetër, duke pushtuar ballinat e gazetave, shkatërruar karriera dhe duke iniciuar hetime penale.

Ish-ambasadori britanik në Uashington, Peter Mandelson, u shkarkua dhe rrezikon burgun, ndërsa kryeministri Starmer po ballafaqohet me krizë serioze për shkak të emërimit të tij, e njëjta valë tronditëse ka prekur Norvegjinë, Suedinë e Sllovakinë, ndërkohë që princi Andrew tashmë ka humbur çdo titull dhe privilegj mbretëror.

Me përjashtim të princit Andrew, pjesa tjetër nuk akuzohen drejtpërdrejt për abuzime seksuale, por karriera e tyre u rrënua për shkak të ruajtjes së miqësisë me Epsteinin, edhe pasi ky i fundit ishte dënuar për pedofili.

“Epstein i koleksiononte njerëzit e pushtetshëm siç mblidhen pikët e udhëtimeve – sa më shumë, aq më mirë për të”, thotë Mark Stephens, ekspert ligjor në Londër, duke shtuar se tani që faturat dolën në shesh, shumëkush do të donte të kishte ndenjur larg.

Dokumentet dolën në dritë pasi çështja u kthye në problem për administratën Trump, duke sjellë një presion të rrallë dypartiak për hapjen e dosjeve, por në SHBA, ky publikim ende nuk ka prodhuar të njëjtën stuhi pasojash për bashkëpunëtorët e Epstein.

Rob Ford, profesor në Universitetin e Mançesterit, vë në dukje se në Britani mjafton që emri të shfaqet në ato letra për t’u bërë menjëherë lajm i dorës së parë.

“Kjo tregon se kemi media më funksionale dhe llogaridhënie më të fortë, pasi ende ekziston ndjenja e turpit në politikë ku thuhet qartë se kjo është e papranueshme”, ka përfunduar ai./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme