Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur konsultat fillestare për caktimin e lokacionit ku do të implementohet donacioni prej 25 milionë eurosh, i ndarë nga shteti emiratas për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në kryeqytet.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Hamiti përmes një njoftimi zyrtar, duke saktësuar se informacionet mbi këtë projekt madhor i ka pranuar gjatë një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Abu Dhabi.
Diplomati kosovar njoftoi gjithashtu se, paralelisht me këtë projekt, gjatë këtij viti do të nisë edhe rinovimi rrënjësor dhe pajisja me teknologji moderne mjekësore e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, investim ky që kap vlerën e 7.5 milionë eurove.
“Në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të lartë për lidershipin e Emirateve të Bashkuara Arabe, të udhëhequr nga Presidenti, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, për këto ndihma të çmuara që ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e kushteve shëndetësore në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e tij./lajmishqip.net
