Përvjetori i qëndresës heroike: 28 vite nga sulmi i dytë serb mbi kullat e Jasharëve në Prekaz

1 minute, 11 seconds Read

Sot shënohet 28-vjetori i sulmit të dytë të forcave okupatore serbe kundër familjes Jashari në Prekaz, një moment kyç në historinë tonë të rezistencës.

Në agimin e 22 janarit 1998, forca të shumta policore serbe u nisën nga Fabrika e Municionit në Skenderaj, vetëm 500 metra larg lagjes Jashari, duke mësyrë kullat historike me një arsenal të gjerë armatimi.

Ky agresion i rinisur i Beogradit ndaj familjes së Shaban Jasharit erdhi saktësisht gjashtë vite pas rezistencës së parë të armatosur të 30 dhjetorit të vitit 1991.

Rreth një muaj e gjysmë më vonë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ushtria dhe policia serbe ndërmorën sulmin e tretë e më fatal, ku ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari, në mesin e 59 martirëve të rënë ato ditë në Prekaz.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bën të ditur se sot, me fillim nga ora 10:00, do të mbahen homazhe pranë Kompleksit Memorial në Prekaz.

“Për të nderuar 22 janarin e vitit 1998, kur familja Jashari dëshmoi vendosmërinë për të mos u thyer e për të mos u larguar nga trualli i vet, OVL e UÇK-së fton familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që të bashkohen në homazhet e orës 10:00 në Prekaz”, thuhet në njoftimin zyrtar të organizatës./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme