Një operacion policor për të parandaluar dhunën në familje u shndërrua në një arenë përleshjeje, kur zyrtarët policorë u sulmuan brutalisht gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Poslisht.
Sipas burimeve të siguruara ekskluzivisht, më 19.01.2026, rreth orës 02:00, dy njësi patrulluese u mobilizuan me urgjencë pas raportimeve për një rast dhune brenda një shtëpie në këtë zonë.
Me të arritur në lokacion, policia ka hasur viktimën në oborr, e cila me shqetësim deklaroi se ishte rrahur nga bashkëshorti, duke i drejtuar pastaj hetuesit brenda shtëpisë për ta ballafaquar të dyshuarin.
Në ato momente, bashkëshorti bashkë me vëllanë dhe babanë e tij, kanë shpërthyer në dhunë të pakontrolluar ndaj policëve dhe viktimës, duke detyruar forcave të rendit ndërhyrjen e menjëhershme fizike.
Dramatizimi i situatës vazhdoi kur i dyshuari kryesor tentoi me çdo kusht të sulmonte sërish gruan jashtë shtëpisë, veprim ky që u parandalua pas një ndjekjeje të shpejtë nga ana e zyrtarëve.
Jashtë objektit, rezistenca mori përmasa edhe më të rrezikshme, ku sulmi ndaj uniformave të shtetit degradoi në goditje fizike dhe gjuajtje sistematike me gurë në drejtim të tyre.
Për të neutralizuar agresorët dhe për të vënë situatën nën kontroll, policia u detyrua të përdorte pajisjet specifike (sprejin), ndërkohë që u kërkuan me urgjencë përforcime nga njësitë tjera.
Patrullat mbështetëse që mbërritën në vendngjarje neutralizuan njërin nga të dyshuarit që po gjuante me gurë, i cili pavarësisht tentativës për t’u arratisur, përfundoi në pranga pas një intervenimi efikas.
Bilanci i këtij konfrontimi la të lënduar katër zyrtarë policorë, të cilët pësuan dëmtime trupore dhe u dërguan menjëherë për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Të gjithë të përfshirët në sulm janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion, derisa hetimet rajonale kanë marrë në dorëzim rastin për ta ndriçuar të plotë këtë ngjarje të rëndë.
Rreth orës 03:00, procedurat hetimore u pasuan nga ekipi i kujdestarisë së SRH-DRP, duke dokumentuar çdo detaj të kësaj nate të tensionuar në rrethinën e Prizrenit.
Mjeku ka kontrolluar edhe njërin nga të dyshuarit, i cili ka pretenduar se ka pësuar lëndime gjatë procesit të vënies nën pranga nga ana e njësive policore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre personat janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa procesi hetimor po vijon me intensitet të lartë./lajmishqip.net

