Goditje për Barcelonën në San Sebastian: VAR-i dhe Sociedadi ndalin serinë fantastike të katalunasve

1 minute, 13 seconds Read

Barcelona është mposhtur në transfertë nga Real Sociedadi në kuadër të javës së 20-të në La Liga, duke i dhënë fund serisë prej 10 fitoreve radhazi. Megjithëse katalunasit dominuan lojën, ata u larguan me duart bosh pas humbjes me rezultat 2-1.

Ndeshja nisi me fat të keq për ekipin e Flick. Që në minutën e 7-të, Fermin Lopez realizoi një gol mjaft të bukur, por ai u anulua nga VAR-i për një faull gjatë aksionit. Më vonë, në minutën e 28-të, rrjetën e gjeti edhe Lamine Yamal, mirëpo teknologjia sërish ndërhynte duke e anuluar për pozitë jashtë loje.

Sociedadi shfrytëzoi momentin dhe kaloi në epërsi në minutën e 32-të përmes Mikel Oyarzabal, i asistuar nga Guedes. Drama vazhdoi kur Barcelonës iu akordua një penallti, e cila sërish u revokua nga VAR-i për një tjetër pozicion jashtë loje në ndërtim të lojës.

Në pjesën e dytë, Marcus Rashford barazoi shifrat në minutën e 70-të pas një kombinimi me Yamal, por gëzimi zgjati vetëm një minutë pasi Guedes ktheu epërsinë e vendasve. Ndonëse Sociedadi mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Carlos Soler (88’), vendasit u mbrojtën me sukses deri në fund. Pavarësisht humbjes, Barcelona mbetet lidere me 49 pikë, ndërsa Sociedadi ngjitet në vendin e tetë me 24 pikë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme