Procesi zgjedhor parlamentar i 28 dhjetorit mund të marrë një kthesë të re, pasi ekziston mundësia që e gjithë Kosova t’i nënshtrohet një procesi të plotë të rinumërimit të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar për Ekonomia Online se hapat e mëtejshëm do të varen tërësisht nga gjetjet e procesit aktual në 28 komunat specifike. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar detajet e kësaj procedure dhe mundësinë e zgjerimit të saj.
“Sipas vendimit të KQZ-së të datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë po kryhet në 10 komuna, ndërsa në 28 të tjera po rishikohen vetëm 10% e vendvotimeve. Varësisht nga ajo që do të evidentohet gjatë këtij procesi në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë një vendim të ri për të përfshirë në rinumërim edhe vendvotimet e tjera. Për momentin, nuk ka ende ndonjë vendim tjetër,” theksoi Elezi.
Aktualisht, sytë mbeten te rezultatet e kampionit prej 10%, të cilat do të jenë përcaktuese për fatin e votave të mbetura./lajmishqip.net
