Lëvizje diplomatike në Bruksel: Spanja mund të zhbllokojë aplikimin e Kosovës për statusin kandidat në BE

1 minute, 12 seconds Read

Aplikimi i Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat ka mbetur prej kohësh i pezulluar në sirtarët e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas raportimeve nga Radio Evropa e Lirë (REL), sinjale të reja dhe pozitive po vijnë nga shtetet anëtare lidhur me këtë proces të rëndësishëm integrues.

Në bazë të diskutimeve që po zhvillohen në Bruksel, REL thekson se Spanja mund të mbajë një qëndrim më konstruktiv për ta zhbllokuar këtë çështje. Megjithatë, Madridi zyrtar ka vendosur një kusht specifik: të mos detyrohet nga shtetet e tjera anëtare që të trajtojë menjëherë çështjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Në korridoret e Brukselit po qarkullojnë informacione se Spanja – shpesh më e rrepta nga pesë shtetet mosnjohëse – mund të lejojë Komisionin të japë një vlerësim zyrtar, me kushtin që procesi të mos i obligojë shtetet anëtare të merren menjëherë me statusin e shtetësisë së Kosovës”, shkruan REL.

Vendi i fundit që tentoi seriozisht të trajtonte këtë aplikim ishte Republika Çeke, e cila e pranoi kërkesën gjatë presidencës së saj në gjysmën e dytë të vitit 2022. Që nga ajo kohë, pesë shtetet mosnjohëse – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – kanë bllokuar çdo progres, duke ua bërë të qartë presidencave pasuese se nuk ishin të gatshme ta shqyrtonin këtë kërkesë. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme