Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka rikonfirmuar qëndrimin e prerë të partisë se zgjedhja e presidentit të ri duhet të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik dhe jo produkt i imponimeve partiake. Pas një mbledhjeje maratonike të Kryesisë, Abdixhiku theksoi se çdo marrëveshje e mundshme politike me LDK-në kalon domosdoshmërisht përmes diskutimit për postin e kreut të shtetit.
Sipas tij, LDK-ja disponon 15 vota vendimtare në Kuvend, të cilat nuk mund të anashkalohen në një proces që kërkon kuorumin prej 80 deputetësh. “Nëse dikush synon marrëveshje me ne, duhet të ulet e të bisedojë. Kushdo që mendon se mund të imponojë një kandidat pa votat tona, le ta provojë fatin. Ne jemi këtu për një president që përfaqëson popullin, jo interesat e një subjekti të vetëm,” deklaroi ai.
Lidhur me ambicien e presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë, Abdixhiku u shpreh i palëkundur: LDK nuk pranon diktime. Ai nënvizoi se fokusi nuk duhet të jetë te akomodimi i një individi, por te sigurimi i 80 votave që garantojnë stabilitet afatgjatë. Sipas kreut të LDK-së, Kosova ka mjaftueshëm figura konsensuale që mund ta kryejnë këtë detyrë fisnike.
Duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja si zgjidhje, Abdixhiku bëri thirrje për dialog serioz institucional. Ai njoftoi se vendimi final do të merret pas konsultimeve me deputetët e zgjedhur dhe mbajtjes së Kuvendit të LDK-së. “Nëse kanë nevojë për 15 votat tona, ne kemi adresë dhe zot shtëpie. Jemi të hapur për stabilitet, por jo për krizë të re,” përfundoi ai./lajmishqip.net
