Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet e fundit kanë detyruar autoritetet që të shtyjnë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë në shkollat e Kosovës. Megjithëse procesi mësimor pritet të rinisë zyrtarisht nesër në shumicën e komunave, përjashtim bëjnë shkollat në Fushë Kosovë dhe Malishevë, ku situata mbetet e rënduar.
Lidhur me këtë gjendje, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka dhënë një prononcim në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova. Ai sugjeroi se do të ishte më e udhës që fillimi i mësimit të shtyhej edhe për disa ditë shtesë, duke argumentuar se temperaturat tejet të ulëta dhe problemet me sistemet e ngrohjes në disa shkolla përbëjnë rrezik për nxënësit.
“Besoj se drejtoritë arsimore, në koordinim me drejtorët e shkollave, do ta analizojnë me kujdes situatën për të rifilluar mësimin në momentin e duhur. Kemi paralajmërime se temperaturat do të bien në minus shumë gradë, gjë që mund të shkaktojë vështirësi serioze me ngrohjen në një pjesë të institucioneve shkollore”, deklaroi Jasharaj. /lajmishqip.net
