Incident i dhunshëm në hyrje të policisë në Ferizaj: sulmohen zyrtarët për një vend parkimi

1 minute, 0 seconds Read

Një 35-vjeçar është arrestuar pasditen e së premtes pasi sulmoi fizikisht zyrtarët policorë në oborrin e Stacionit Policor në Ferizaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, kur një polic në detyrë njoftoi se një automjet me targa të huaja kishte bllokuar hyrjen e stacionit dhe drejtuesi i tij refuzonte të bindej.

Pavarësisht asistencës së zyrtarëve të tjerë, i dyshuari me inicialet A.N. ka vazhduar me sjellje agresive, duke përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese. Gjatë tentativës për vënie nën kontroll, i dyshuari u është vërsulur policëve, veprim ky që i detyroi ata të përdornin sprejin mbrojtës për ta neutralizuar dhe arrestuar. Si pasojë e këtij incidenti, tre zyrtarë policorë dhe vetë i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Njësia e Hetimeve Rajonale ka nisur procedurat menjëherë, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë urdhrat e ligjshëm, duke theksuar se mosbindja dëmton rendin dhe sigurinë publike. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme